Kapiteni i Liverpoolit Jordan Henderson ka treguar se karriera e tij te “Të Kuqtë” ishte shumë afër përfundimit para afro një dekade, gjatë periudhës sa ishte nën urdhrat e trajnerit Brendan Rodgers.
Përmes një interviste në “BT Sports”, Henderson rikujtoi momentin kur kishte shpërthyer në lot, pasi që e kishte kuptuar se oferta e Fulhamit për të ishte pranuar nga Liverpooli në vitin 2012, vetëm një vit pas transferimit të tij nga Sunderlandi, përcjell KosovaPress.
“Mund ta mbajë në mend sikur të kishte ndodhur dje. Ishte menjëherë pas ndeshjes kur ne luajtëm kundër Hearts në Anfield. Bisedova me Brendan Rodgers në hotel në ditën e ndeshjes, dhe të tregohem i drejtë drejt Brendan, ai më dha opsionin, më shumë ishte klubi që ishte i gatshëm të më largonte”, tha Henderson.
“Brendan më tha që kjo gjë varej nga unë. Nuk do të startoja shumë ndeshje por ai do të më ndihmonte që unë të përmirësohem në atë që kisha nevojë. Isha ende i ri, dhe nëse do i bëja këto gjëra, do të kisha më shumë minutazhë. Menjëherë pas kësaj, shkova në dhomën time, qava paksa dhe isha i demoralizuar. Nuk e kisha opsion largimin nga klubi sepse kisha shumë pak kohë aty dhe kisha punuar tejet shumë për t’iu bashkuar Liverpoolit. Nuk dëshiroja të largohesha”, shtoi ylli anglez.
Qëndrimi te Liverpooli doli të ishte zgjidhja më e mirë për Hendersonin, ku fillimisht në vitin 2019 ai si kapiten e ngriti trofeun e Ligës së Kampionëve, ndërsa në vitin 2020 e fitoi Premier Ligën angleze, titull ky që ishte i pari për Liverpoolin pas 30 viteve.