Trajneri i Dinamos, Bledar Devolli, mendon se fitorja ndaj Skënderbeut ishte vetëm hapi i parë i kthesës. Tekniku theksoi se ekipi tashmë duhej të vazhdonte të kristalizohej loja e ekipit, ndërsa komentoi edhe zërat në mediat italiane për afrimin e Vanolit si trajneri i skuadrës blu.
“E dija që fitorja do vinte se isha i bindur që do të vinte, se prodhonim lojë, krijonim raste, sot edhe pak fat, që duhet ta kesh me vete në këtë lloj, shyqyr Zotit.
Të rëndësishme janë tre pikët, janë flori për ne, në situatën ku ishim. E bëmë golin shpejt, i kapëm në disa situata me Rimalin që duhej të shkonim në krahun tjetër, nuk bëri mirë detyrat në disa momente. Por jam i kënaqur nga të gjithë, titullarët e ata që hynë nga stoli. Por tani të ulim kokën që të dalim nga kjo situatë e vështirë.
Është presioni i pikëve që është shumë i domosdoshëm sot ndaj një rivali direkt, i thashë qe me një fitore sot i japim grusht rivalit. Kemi pasur mungesa dhe kam kërkuar të stabilizoj formacionin, kemi gjetur mënyrë loje me Ibraimin më poshtë që do kontakt me topin na nxjerr më mirë topi. Me Demirin kanë kimi, javën tjetër na kthehet edhe Imami e bëjmë ndonjë gjë tjetër të mirë, shpresojmë që tani të bëjmë çdo gjë për të mirën e punës dhe marrim rezultatet.
Po ta shohësh, me Çinedu, me Rimalin, me Redonin, apo Ibraimin. Besoj se me 5 sulmues nuk i ka një tjetër ekip për momentin në Superiore, thjesht duhet të stabilizojmë këtë mënyrë loje. Goli erdhi siç e kishim punuar, doli për mirë, e mund të kishte bërë më shumë. Presioni, pak terreni e i ftohti këtu, të gjitha ndikojnë.
Me trajnerin italian që keni nxjerrë edhe ju, mua nuk më intereson fare ajo pjesë. A është italian apo gjerman, nuk më intereson, kam marrë garanci edhe nga presidenti se janë lajme mediatike.
Rexhinaldo besoj se kthehet këtë javë, edhe Eni, se kemi nevojë për të gjithë në këtë situatë. Por kryesore është që nga sot të vazhdojmë me kokën poshtë se kemi bërë thjesht detyrën dhe kështu vazhdojmë. Kjo do të jetë moto jonë, me kokën poshtë e entuziazëm, të fillojmë të bëjmë rezultate e të shpëtojmë sa më shpejt nga kjo situatë. Simoni kishte kohë pa luajtur, ndoshta edhe kjo ka ndikuar, nuk kam çfarë t’i them se është 17 vjeç, është e ardhmja e klubit. Punon kaq shumë sa edhe unë çuditem se si punon kaq shumë një 17-vjeçar”, tha Devolli.