Fitorja e Shqipërisë U-17, flasin protagonistet

Futboll

Fitorja e Shqipërisë U-17, flasin protagonistet

Më: 9 mars 2022 Në ora: 11:03
Fitorja e Shqipërisë U-17, flasin protagonistet

Kombëtarja shqiptare e femrave U-17 mori fitoren e parë në grup të enjten, pasi mposhti me shifrat 1-0 skuadrën e Azerbajxhanit, e vlefshme për raundin e dytë të Kampionatit Europian 2021/2022. Vajzat kuqezi bënë një paraqitje fantastike në stadiumin “Elbasan Arena”, duke dhuruar emocione të mëdha për të gjithë

. Në prononcimet pas ndeshjes për fshf.org, protagonistet e këtij suksesi u shprehën shumë të kënaqura për arritjen e këtij rezultati dhe për lojën e zhvilluar nga Shqipëria.

Rosela Vasa, një nga futbollistet e U-17 nuk e fshehu lumturinë për fitoren dhe për atë që dha në fushën e lojës, teksa u shpreh se skuadra do të punojë këto ditë për t’u përmirësuar, për të arritur të tjera rezultate të këtilla.

 “Jam shumë e kënaqur që e nisëm me një fitore këtë Europian dhe shpresoj që edhe ndeshjet e tjera t’i mbyllim me fitore. Jam shumë e kënaqur edhe me ekipin dhe me gjendjen time. Më vjen keq për rastet e humbura, uroj t’i përmirësojmë. Uroj që edhe në ndeshjet e tjera të marrim rezultate pozitive dhe në aspektin personal të bëj një paraqitje sa më të mira” – përfundoi Vasa prononcimin për fshf.org.

Protagonistja absolute e kësaj ndeshje ishte pa dyshim Klaudja Borci, e cila i dha tre pikët e para Kombëtares me golin e shënuar në minutën e 37-të. Sulmuesja kuqezi shprehet se ekipi e meritoi këtë fitore, ndërsa foli edhe për synimet e skuadrës në dy ndeshjet e tjera.  

“E merituam këtë fitore, e dominuam lojën si në pjesën e parë, ashtu edhe në pjesën e dytë dhe duhet ta fitonim. Jam shumë e kënaqur pasi luajtëm shumë mirë. Golin ia dedikoj një shoqes time, Donatela Marku që është në ekipin tonë dhe në Kombëtare. Synimi për ndeshjet e radhës? – T’i fitojmë të dyja ndeshjet e mbetura” – u shpreh Borci.

Një tjetër futbolliste e Shqipërisë, e cila luan në Amerikë, Era Methoxha shprehet mjaft e lumtur për këtë tre pikësh të parë, teksa thekson se në në dy ndeshjet e radhës, skuadra do të japë maksimumin për të fituar.

“Ndihem shumë mirë që fituam sot. Jemi stërvitur shumë dhe dhamë maksimumin sot. Jam shumë e kënaqur sepse jemi stërvitur shumë për të marrë këtë fitore dhe jemi përmirësuar në krahasim me shtatorin dhe e merituam fitoren. Skocia? – Do të jetë ndeshje e fortë, por besoj që nëse japim maksimumin mund t’ia dalim dhe me Maqedoninë e Veriut urojmë një fitore” – tha Methoxha.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat