Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, ka qenë i shoqëruar nga Luka Modriç në konferencën për shtyp para ndeshjes së kthimit në 1/8 e finaleve në Ligën e kampioneve kundër Paris SG-së. Sipas të gjitha gjasave, kroati do të jetë i vetmi nga treshja titullare e mesfushës në fushë.
Me Kasemiron që do të mungojë si pasojë e skualifikimit dhe Toni Kros i dëmtuar, gjithçka do të rëndojë mbi supet e veteranit të mesfushës së Realit.
Kroati nuk i trembet sfidës dhe është shprehur gati për përballjen e madhe sonte në mbrëmje. Në fjalën e tij Modriç është ndalur në një sërë temash, mes të cilave dhe atë të një afrimi të mundshëm në Madrid të yllit të Paris SG-së, Kilië Mbape.
Ai ka bërë me dije se e pret në skuadër sulmuesin francez, por jo pa e eliminuar nga Liga e Kampioneve.
“Pa diskutim që është një nga pikat tona të forta.
Kemi luajtur sfida të rëndësishme këtu, kemi pasur përballje të mëdha. E kemi parë mbështetjen e tyre kundër Sociedadit dhe presim që të jetë një ferr për Parisin. Jam i bindur se tifozët do të kenë një rol të dorës së parë”, tha Modriç.