Migen Memelli nuk është më trajneri i Skënderbeut. Trajneri pogradecar lajmëroi largimin nga drejtimi i ekipit korçar pas humbjes 0-1 ndaj Dinamos.
“Situata nuk është aspak e mirë, çdokush e kupton që po vuajmë. Unë jam një njeri nuk bëhet barrë për askënd, do bisedoj me presidentin që t’i hapim rrugë dikujt tjetër.
Edhe lojtarët janë të ngarkuar”, deklaroi ish-sulmuesi në “Gol pas Goli” në Supersport pas humbjes së “finales” së mbijetesës ndaj Dinamos së Devollit.
Memelli është takuar sot me presidentin Ardian Takaj. Kreu i klubit korçar ka pranuar dorëheqjen e trajnerit, i cili qëndronte në stolin korçar prej 3 shkurtit të vitit 2021.
41-vjeçari drejtoi Skënderbeun në 51 ndeshje, duke grumbulluar 1.14 pikë për ndeshjes. Sezonin e kaluar ai kreu një mrekulli duke mbajtur ekipin juglindor në Superiore, ndërsa tani duhet të vijë dikush tjetër për të realizuar misionin e vështirë.