Një betejë e gjatë dhe shumë e vështirë për t’u luftuar. Një rrugë e vështirë, plot pengesa.
Gianluca Vialli, ish-qendërsulmuesi i Sampdorias, Juventusit dhe Chelsea, aktualisht asistent i trajnerit të kombëtares axurre, mikut të tij të madh dhe ish-shokut të skuadrës, Roberto Mancini, është rikthyer për të folur mbi kancerin pankreatik me të cilin po lufton që nga viti 2017.
Ish-sulmuesi u rrëfye me zemër të hapur për “Një pyetje e thjeshtë”, emisioni dokumentar që do të transmetohet nga 18 marsi në Netflix. “Kam frikë të vdes, eh. Nuk e di kur të fiket drita se çfarë do të jetë në anën tjetër. Por, në një farë mënyre jam edhe i emocionuar që mund ta zbuloj”.
E përjavshmja “Oggi” ka zbuluar disa pjesë nga dialogu mes Gianluca Viallit dhe Alessandro Cattelan.
Një intervistë e gjatë, në të cilën ish-futbollisti flet për sëmundjen dhe mënyrën se si i ka ndryshuar gjërat:
“E kuptoj gjithashtu se koncepti i vdekjes përdoret për të kuptuar dhe vlerësuar jetën. Ankthi për të mos arritur të përfundoj të gjitha gjërat që dua të bëj, fakti i të qenit super i emocionuar nga të gjitha projektet që kam, është një gjë.
Sëmundja nuk është ekskluzivisht vuajtje, ka momente të mrekullueshme. Jeta përbëhet nga 20 për qind e asaj që ju ndodh dhe 80 për qind e mënyrës në të cilën ju reagoni ndaj asaj që ndodh. Sëmundja mund t’ju mësojë shumë për atë se si jeni, gjithashtu të jetë një mundësi”.