Tekniku Brdariç ka nisur dje me kapacitet të plotë përgatitjet për sfidën ndaj Tiranës. Në një takim të tillë kuqeblutë do të kenë jo pak, por dy mungesa tejet të rëndësishme.
Dyshja e mesfushës Fjoralb Jonuzi e Viktor da Silva do të mungojnë në këtë sfidë. Kjo është shikuar edhe në stërvitjen e parë të zhvilluar ditën e djeshme. Lajm pozitiv mund të quhet rikthimi nga dëmtimi i kapitenit Erdenis Gurishta.
Ai është stërvitur me skuadrën dhe me këtë rikthim, por edhe atë të Adilit që vjen nga pezullimi, mbrojtja është tërësisht e plotësuar para kësaj sfide.
Ajo që është vënë re dje ka qenë fakti se edhe pjesa tjetër e lojtarëve gëzon një formë të mirë.
Ndërsa sot dhe nesër pritet që tekniku të skicojë lojtarët që do të hedhë nga minuta e parë në fushën e lojës.