Një ndeshje që nisi mbarë, por që ndryshoi udhë, ishte ajo e mbrëmjes së sotme kundër Cambuur për ekipin e Ajax, megjithatë kampionët në fuqi të Holandës ia dolën që të merrnin 3 pikët.
Ndeshja u zhbllokua që në minutën e 3’, me Tadic që i dha avantazhin ekipit të Ten Hag, ndërsa në minutën e 40’ Haller do t’i dhuronte Ajaxit golin e dytë, për ta mbyllur këtë pjesë me rezultatin 0-2.
Megjithatë, fraksioni i dytë do të sillte një Cambuur shumë më ndryshe. Vendasit do të realizonin golin e tyre të parë në minutën e 48’ me Kallon, teksa në të 79-ën “verdheblutë” barazuan me Joosten.
Në një kohë kur u duk se ky takim po mbyllej në barazim, kryesuesit e Eredivisie morën situatën nën kontroll dhe shënuan golin e fitores në minutën e 90+1′ me Gravenberch dhe në të njëjtën kohë siguruan tre pikë të vlefshme.
Pas raundit të 26-të Ajax shkon në kuotën e 63 pikëve, pesë më shumë se PSV e vendit të dytë, megjithatë këta të fundit kanë një ndeshje më pak. Teksa Cambuur qëndron në vend të tetë me 33 pikë të grumbulluara në 26 ndeshje, 7 pikë larg pozicionit të fundit që konkurron në kompeticionet e Europës.