Romelu Lukaku dëshiron të rikthehet te Interi, aq më tepër tani pas kaosit të krijuar me Abramoviç te Çelsi.
Te blutë e Londrës sulmuesi belg u përpoq të ambjentohej dhe me Tuhel ai praktikisht ndau “rrugët” prej disa kohësh ku Lukaku e shihte veten më shumë në pankinë sesa në fushën e blertë.
Tani situata është përkeqësuar me manjatin rus të detyruar të largohet për t’ia lënë klubin nën drejtimin e qeverisë britanike.
Kështu belgu ka telefonuar drejtuesit e Interit për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja nuk është e lehtë për t’u gjetur sepse për momentin Çelsi nuk mund të shesë as lojtarët e tyre.
Kështu në muajt e fundit qeveria britanike do të duhet të gjejë një blerës për klubin dhe më pas mund të fillojnë negociatat për të rikthyer Lukakun në Milano.
Një marrëveshje që në këtë pikë, mund të bëhej vetëm me formulën e huazimit.
Ndërkohë, Lukaku ka bërë të ditur se është gati të ulë shumë pagën për t’u rikthyer atje ku ka shkruar historinë në sezonin e kaluar, ku nga 12,5 milionë euro që përfiton aktualisht në të paktën 7,5 milionë euro, një pagë në përputhje me parametrat e Interit.
Për momentin Interi ka vullnetin e lojtarit për t’u rikthyer dhe Marota pret të kuptojë situatën në Londër.