Fitorja me rezultat 2-1 ndaj Hellas Veronas e mban Napolin në hap me rivalët tjerë në luftën për titullin kampion në këtë edicion garues të Serie-A.
Ishte qendërsulmuesi Victor Osimhen ai që shënoi të dy golat për skuadrën e trajnerit Luciano Spalletti që tani ka të mbledhura 60 pikë në vendin e dytë, transmeton KosovaPress.
Pas ndeshjes, Osimhen tha se Verona ishte një skuadër shumë e organizuar dhe se fitorja ndaj tyre nuk ishte e lehtë.
"Pas humbjes kundër Milanit, e cila na lëndoi, ishte në njëfarë kuptimi shumë e nevojshme një përgjigje e tillë. Është një përgjigje e fortë, në një fushë të vështirë dhe kundër një ekipi shumë të organizuar. Por ne e merituam të fitonim", tha qendërsulmuesi napolitan.
Skuadra e tij është në garë të ngushtë me Milanin dhe Interin dhe Osimhen thotë se do të provojnë t’i fitojnë të gjitha ndeshjet e mbetura deri në fund të kampionatit.
“Është një hap që kemi arritur sot, por për të besuar vërtet te Scudetto duhet të përpiqemi t'i fitojmë të gjitha, padyshim edhe duke parë të tjerët se çfarë po bëjnë”, shtoi ai.
Milani është lider i tabelës me 63 pikë, kurse Interi ësh6të në vendin e tretë me 58 pikë, por që kanë dy ndeshje më pak të zhvilluara.