Nick Candy është njëri nga ofertuesit që është futur në një garë për blerjen e Chelseat.
Miliarderi në fjalë ka shpjeguar arsyet pse ai është i interesuar për blerjen e klubit anglez i cili së fundi ka mbetur pa pronar për shkak të sanksioneve që Britania e Madhe vendosi ndaj pronarit të deritanishëm, rusit Roman Abramovich për shkak të lidhjeve të tij me presidentin e Rusisë Vladimir Putin i cili filloi së fundi pushtimin e Ukrainës.
Candy ishte në mesin e të pranishmëve në ndeshjen e Chelseat luajti ndaj Newcastle United të dielën dhe duke folur për “Sky Sport” shpjegoi situatën që e lidhë atë me blerjen e kampionit të Evropës.
“Unë e kam mbështetur Chelsean që nga mosha fëmijërore. Që kur isha katër vjeçar. Babait tim iu kërkua të luante për Chelsean. Unë e dua Chelsean”, tha fillimisht Candy.
“Nuk më intereson se ku përfundon, edhe nëse jo në duart e mia, dua që të jetë në duar të sigurta”, vazhdoi ai.
Candy nuk e ka fshehur faktin se do të kërkonte të vendoste tifozët në qendër të planeve të tij nëse do të sigurohej pronësia e Chelseat.
Ai mendon se ky duhet të jetë rasti për këdo që merr përgjegjësinë duke thënë se do të ishte shumë me rëndësi që tifozët të kenë fjalën e tyre për vendimet brenda dhe jashtë fushës.