Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës, ka reaguar pas një lajmi që është publikuar në mediat vendase, se jahti luksoz i manjatit rus, Roman Abramovich, ka hyrë në ujërat territorialë shqiptarë.
Me anë të një njoftimi për mediat, ministria e mohon këtë informacion duke shtuar se mjeti lundrues “Solaris”, është duke lëvizur në ujërat ndërkombëtare midis Italisë dhe Shqipërisë.
Sipas ministrisë, jahti i Abramovich, ka lënë portin Marina Montenegro të Malit të Zi, dhe po lëndron drejt Detit Mesdhe.
Njoftimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës:
Lidhur me lajmin e publikuar sot në media, për hyrjen në ujërat territorialë të Republikës së Shqipërisë, të një mjeti lundrues në pronësi të shtetasit rus, Roman Abramoviç, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se:
Nga verifikimet e kryera në sistemet e monitorimit të trafikut detar “Marine Traffic”, rezulton se mjeti lundrues “Solaris” është nisur nga Porti turistik Marina Montenegro në Tivat, Mali i Zi dhe po lëviz për në jug drejt Detit Mesdhe.
Mjeti lundrues i mësipërm, aktualisht është duke lundruar në ujërat ndërkombëtare, midis Italisë dhe Shqipërisë, në drejtim të Jugut dhe nuk ka ndaluar apo hyrë në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë.