Sulmuesi francez i Realit të Madridit, Karim Benzema, do të gjykohet më 30 qershor në apel, pasi u dënua në shkallë të parë me një vit burg, dënim ky i konvertuar në shërbim prove, për bashkëpunim në shantazhin që miqtë e tij i bënë Mathieu Valbuenas.
Procesi i ri, i cili si ai i mëparshmi do të zhvillohet në Versajë, në periferi të Parisit, është planifikuar të mbyllet për dy ditë, bënë me dije burime gjyqësore.
Avokatët e lojtarit nuk e kanë konfirmuar për momentin nëse Benzema do të shkojë të mbrohet këtë herë, pasi nuk e bëri këtë në shkallën e parë me pretendimin se ishte i angazhuar profesionalisht, qëndrim i kritikuar shumë nga gjykata.
Kështu, seanca u zhvillua në mes të sezonit, pak ditë pas një ndeshje të Champions League dhe para “El Clasicos kundër Barcelonës.
Në fund të gjykimit të shkallës së parë, avokatët e tij siguruan se lojtari do të bënte gjithçka që ishte e mundur për të mbrojtur veten në apel.
Sulmuesi madrilen, i cili këtë fundjavë u bë golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit francez, u dënua me një vit burg (shërbim prove) dhe 75 mijë euro gjobë për nxitjen që i bëri Valbuenës në vitin 2015 për të paguar shantazhuesit që kishin siguruar një video me përmbajtje seksuale të futbollistit, që atëherë luante me Lyonin.