Sulmuesi i Realit të Madridit, Vinicius, është bërë sërish pre e koreve raciste në La Liga. Ngjarja e radhës e shëmtuar është regjistruar të hënën në mbrëmje në Majorka gjatë takimit mes ishullorëve dhe Realit.
Vinicius ishte autori i golit të parë që i çeli rrugën suksesit të “Los Blancos”.
Ai gjithashtu fitoi dhe 11-metërshin e kthyer në gol nga Benzema në momentin e 0-2.
Por siç raportojnë mediat spanjolle, sulmuesi brazilian ka rënë viktimë e koreve raciste, teksa në stadiumin “Son Moix” janë dëgjuar thirrjet: “Shko mblidh banane”.
Klubi i Realit të Madridit ka reaguar ashpër për sjelljen e tifozëve të Majorkës, duke kërkuar ndëshkim. Për inatin e tifozëve, sulmuesi brazilian kërceu përpara tyre duke shkaktuar irritim tek vendasit.