Etrit Berishës iu desh pak kohë që të shfaqej përsëri në fushë në Serinë A me fanellën e Torinos.
Por gardiani i përfaqësueses shqiptare i ka bindur të gjithë që në rastin e parë që iu shfaq në këtë klub. Portieri i kuqezinjve duket se ka ndryshuar në pak kohë hierarkinë brenda skuadrës, duke i rrëmbyer vendin Milinkoviç-Saviç.
Ky i fundit ishte përzgjedhur si titullar nga trajneri Juriç te skuadra e Torinos dhe Berisha ishte detyruar që të qëndronte në pritje të momentit të tij, edhe pse portieri serb kishte bërë disa gabime në ndeshjet e luajtura deri tani. Dëmtimi i Milinkoviç-Saviç i hapi dyert e formacionit gardianit shqiptar dhe ndaj Interit, ai i tregoi trajnerit Juriç se kishte pse t’i besonte fanellën e titullarit.
Pritjet e tij të njëpasnjëshme mbajtën në lojë skuadrën duke i siguruar të paktën një pikë ndaj kampionëve në fuqi të Serisë A dhe për mediat italiane, kaq ka mjaftuar që trajneri të vendosë t’i besojë përsëri vendin në formacion edhe në ndeshjen e radhës, kundër Xhenoas.
Tashmë portieri shqiptar ka mundësinë të tregojë që e meriton këtë fanellë titullari, ashtu si edhe zgjatjen e qëndrimit te Torino përtej këtij sezoni.