Granit Xhaka do të jetë një risi tek Zvicra ku do të kthehet pas një kohe të gjatë. Në muajin shtator të vitit të kaluar, ai ishte detyruar të tërhiqej pas dy ditë ushtrimesh pasi kishte rezultuar pozitiv me Covid 19.
Më pas, në muajt tetor e nëntor nuk ishte në dispozicion shkaku i lëndimit në gjurin e djathtë.
Në grumbullimin pesëditor në Marbella, në ushtrimet e përditshme, kapiteni i Zvicrës është njëri nga katër lojtarët që kthehet, e që kishin munguar në muajin nëntor.
Pa dyshim se ndeshja ndaj Kosovës do të jetë shumë e veçantë për Xhakën, Shaqirin dhe Zeqirin, por më speciale do të jetë për këtë të parin.
Xhaka në mars do t’i zhvillojë ndeshjet numër 99 dhe 100.
Duke e pasur parasysh që përballjen e dytë do ta ketë me Kosovën, i bie që ai do ta ketë ndeshjen jubilare pikërisht ndaj “Dardanëve”, e cila edhe ashtu konsiderohet si lojë speciale për të.