Manchester City-Atlético Madrid është gjithashtu dhe mbi të gjitha sfida mes Pep Guardiolës dhe Diego Simeones, pra dy filozofi të ndryshme loje. “Tiki taka” kundër “Cholismo”, driblimi kundër agresionit, sulmi kundër mbrojtjes. Viti i gjashtë në krye të “qytetarëve” për trajnerin katalanas, i njëmbëdhjeti me “colchoneros” për argjentinasin.
Dy skuadra që pashmangshmërisht kanë gjurmën e qartë të trajnerit. Për të dy, Champions League po kthehet në një obsession. Guardiola e nisi shumë fuqishëm, duke fituar dy trofe të tillë në tri pjesëmarrjet e tij të para. Por që nga viti 2011 është ndalur.
Ai u afrua vitin e kaluar, por Tuchel, një tjetër trajner pragmatik si “Cholo”, e mbylli në kafaz. Për Simeonen, “kupa me veshë” të mëdhenj është e mallkuar: dy humbje në finale, në mënyrë tallëse, ndaj Real Madridit. E fundit në vitin 2016, më pas një “nokaut” përsëri me “Los Blancos” në çerekfinale.
Të dy trajnerët janë përplasur deri më tani vetëm tri herë: një herë në La Liga, me Barcelonën që fitoi 2-1 në “Vicente Calderon”, herën e dytë në Champions League më 2016, kur Simeone e mbylli në kafaz Pep, trajnerin e Bayernit në atë kohë. 1-0 për “colchoneros” në Madrid dhe 2-1 për bavarezët në “Allianz Arena”. Por atëherë vlente rregulli i golit në transfertë. Dhe peshonte shumë.