Struga Trim Lum nuk ia doli në përballje me Shkupin, duke pësuar humbje në konak të vetin me rezultat 3:1, në ndeshjen e elitës së futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Si e justifikon humbjen Struga?
“FC Struga ka pësuar edhe disfatën e 8-të sezonale, pasi sot në terren vendas u mposhtëm nga liderët aktual të FC Shkupit me rezultatin 3:1. Pjesa e parë u mbyll me shifrat e barabarta 1:1, ndërsa ishte pikërisht skuadra jonë që avancoi e para falë “bombës” së Nemanja Bosançiç në minutën e fundit të pjesës së parë.
Ky gol solli gëzim në mesin e futbollistëve tanë, por njëkohësisht edhe një komoditet të vogël, që shumë shpejtë e shfrytëzuan mysafirët që me anë të golashënuesit më të mirë të kampionatit, Adentunxhi barazuan shifrat në 1:1 në minutën e dytë të kohës shtesë.
Po të ishim më të koncentruar në këto momente të fundit të pjesës së parë, ndeshja mund të kishte ndoshta edhe një rrjedhë tjetër, sidomos pas goditjes së shkëlqyer në minutat e para të pjesës së dytë të Valenin Koçoskit.
Ky i fundit lëshoi një predhë të vërtetë në drejtim të portës së Naumovskit, i cili me gishtërinjtë e tij arriti që të devijojë topin në rivënie nga këndi.
Pas këtij momenti, tek futbollistët tanë u vërejt një rënie, ndërsa këtë më së miri e shfrytëzuan futbollistët e FC Shkupit që përmes dy kundërzbritjeve arritën që deri në fund të shënojnë edhe dy gola të tjerë në rrjetën e Taleskit.
Pas këtij takimi pason një pauzë dy javëshe, që do të jetë e mirëseardhur për ekipin dhe trajnerin Zaharievski, për të konsoliduar ekipin dhe për të kërkuar pikë që në ndeshjen e radhës, që me 3 prill do ta zhvillojmë kundër Rabotniçkit në Shkup”, shkruan në faqen e FC Struga Trima Lum.