Chelsea nuk i reflekton problemet e jashtme brenda fushës së lojës dhe bëhet skuadra e parë që kualifikohet në gjysmëfinalet e FA Cup.
“Blutë e Londrës” mundën pa shumë vështirësi 2-0 Middlesbrough në ndeshjen e zhvilluar në “Riverside Stadium”.
Të besuarit e Thomas Tuchelit e gjetën rrugën e rrjetës pas çerek ore lojë me Lukakun, që u shërbye saktë nga Mount. Pas gjysmë ore lojë Ziyech arriti që të shënonte dhe golin e dytë për ekipin londinez, duke i dhënë qetësinë skuadrës së tij. Pjesa e dytë ishte më ekuilibruar, me Chelsea që, edhe pse dominoi, nuk arriti që të shënonte më shumë gola.
Fitorja e gjashtë radhazi për “Blutë” e Londrës, të cilët po mundohen që të mos përfshihen në problematikat që ka klubi pas sanksioneve që shteti britanik ka marrë ndaj presidentit Roman Abramovich.
Chelsea po zhvillon një edicion pozitiv, teksa e sheh veten në çerekfinalet e Championsit, në gjysmëfinalet e FA CUP, si dhe ndodhet në vendin e tretë në Premier League me 59 pikë, duke qenë shumë pranë sigurimit të një vendi për në Champions League edicionin e ardhshëm.