E ardhmja e Mauricio Pochettino-s duket se është larg Parisit. Marrëdhënia jo shumë e mirë me klubin dhe rezultatet zhgënjyese lënë të kuptohet se do të kemi një lamtumirë të parakohshme mes palëve.
L’Equipe ka bërë një analizë të situatës mes klubit dhe trajnerit duke theksuar se, për momentin, klubi duhet t’i paguajë rreth 20 milionë euro argjentinasi nëse do të vendosë ta shkarkojë, shkruan Telesporti.
Nëse Pochettino do të shkarkohet gjatë këtij sezoni, domethënë një vit para fundit të kontratës, klubi francez do të jetë i detyruar t’i paguajë rreth 20 milionë euro atij dhe stafit të tij.
Marrëveshja e nënshkruar mes palëve duhet t’i kushtojë rreth 1.1 milionë euro në muaj arkave të skuadrës.
Përveçse do të duhet t’i paguajë rrogën trajnerit, PSG do të duhet të bëjë llogaritë më pas me kostot e stafit të tij: Jesus Perez (80.000 euro në muaj), Miguel D’Agostino, Toni Jimenez (50.000 euro në muaj) dhe djali Sebastiano Pochettino (20.000 euro në muaj).
Me pak fjalë, lamtumira e parakohshme e argjentinasi nuk do të ishte shumë e këshillueshme, por është pothuajse e sigurt se do të ndodhë. Nëse jo menjëherë, në përfundim të sezonit ndoshta me një marrëveshje që nuk e detyron klubin të paguajë shumat e mësipërme.