Xavi po bën një punë fantastike te Barcelona. Ekipi katalanas luan bukur, shënon pafund dhe po arrin të sigurojë rezultate pozitive në vazhdimësi. Një nga të “rilindurit” nën drejtimin e Xavit është Ousmane Dembele.
Sulmuesi i djathtë francez ka shfaqur një rendiment të lartë në ndeshjet e fundit, teksa kontrata i përfundon në muajin qershor. Edhe pse Xavi i beson dhe e cilëson të rëndësishëm, 24-vjeçari nuk do të rinovojë.
Në Spanjë theksojnë se Dembele ka një paraakord me PSG-në, dhe në fund të sezonit do të transferohet në kryeqytetin francez si lojtar i lirë. Te Barcelona janë të përgatitur për çdo skenar.
Katalanasja Sport.es raporton se drejtuesit e klubit kanë piketuar Raphinha si zëvendësuesin perfekt të Dembele. Braziliani është pjesë e Leeds United prej vitit 2020, teksa këtë sezon numëron 9 gola dhe 3 asiste në Premier League.
25-vjeçari dëshiron të fillojë një aventurë të re në verë dhe Barcelona shihet si destinacioni perfekt. Për lojtarin latin interesohen edhe Liverpool e Bayern Munchen.
Një gjë e tillë ka shtyrë drejtuesit e Barcelonës të nisin bisedimet me agjentin e lojtarit, Decon. Portugezi është një njohje e vjetër e presidentit Laporta, pasi është aktivizuar me Barçën në vitet 2004-2008.
Raphinha debutoi me kombëtaren braziliane në tetorin e vitit të kaluar dhe deri tani numëron shtatë ndeshje dhe tre gola me pesë herë kampionët e botës.