Giresse e Rrahmani flasin para sfidës me Burkina Fason

Futboll

Giresse e Rrahmani flasin para sfidës me Burkina Fason

Më: 23 mars 2022 Në ora: 16:49 Përditësuar në ora: 18:51 më 23.03.2022
Konferenca per media

Trajneri i Burkina Fasos: Ndeshjen me Kosovën nuk do ta trajtojmë si miqësore

Burkina Faso është kombëtarja që do të ballafaqohet me Kosovën në një sfidë miqësore që do të zhvillohet nesër me fillim nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ky do të jetë ballafaqimi i dytë në histori ndërmjet këtyre dy shteteve derisa sfidën e parë e kishin fituar “Dardanët” me rezultat 2-0.

Trajneri i skuadrës mysafire Kamou Malo e ka vlerësuar lartë ekipin e Kosovës për kualitete që ka, por ka bërë të ditur se ata nuk do ta luajnë këtë ndeshje me qasje krejtësisht miqësore, por do të kërkojnë fitore.

Kamou Malo: Sfidën me Kosovën nuk do ta trajtojmë si miqësore

“Me qenë shumë i sinqert, nuk e njohim shumë Kosovën. Mbi të gjitha kjo lojë do të jetë një mundësi e jona për njohje më të mirë të Kosovës. Ani pse ne jemi të vetëdijshëm për trajnerin e Kosovës ALian Giresse i cili është një fiurë e njohur në Afrikë dhe e dimë që ai po bënë një punë shumë të mirë dhe e dimë që do të bëjë një punë shumë të mirë. Çfarë dimë tjetër për Kosovën është se shumë lojtarë të ekipit të Kosovës luajnë në ekipe shumë të njohura kudo anë e mbanë Evropës, prandaj për më shumë presim lojën e cila do të zhvillohet nesër...Mbi të gjitha kjo lojë është një mundësi që ta zbulojmë Kosovën dhe ani pse është lojë miqësore ne nuk do ta trajtojmë të tille, do të tentojmë ta japim maksimumin tonë.”, tha Malo në konferencë për media.

Ndërsa kapiteni i Burkina Fasos Bertrand Traore u shpreh mirënjohës për mikpritjen që e ka pasur nga njerëzit në Kosovës, derisa duke folur për lojtarët dardan, ai ka përmendur disa prej tyre për të cilët ka thënë se ka informacione dhe që i vlerëson shumë për kualitete që ata i posedojnë.

Traore: Këta janë lojtarët e Kosovës për të cilët kam informacion

“Para se gjithash ne jemi shumë të kënaqur me pritjen këtu dhe me mënyrën se si po ia kalojmë. Është hera e dytë për ne, hera e parë ishte në Paris dhe në atë lojë ne kemi humbur 2-0 dhe Kosova e kishte dominuar lojën dhe e dimë që është një ekip të cilin nuk duhet ta marrim ashtu lehtas, duhet të bëjë shumë kujdes. Sa i përket lojtarëve padyshim se ne i njohim lojtarët, do t’i përmend disa nga ta. Është Valon Berisha, pastaj Milot Rashica i cili luan në Norëich City...mbi të gjitha, siç e tha trajneri kjo është një kjo është një zbulim dhe ne jëmi të përgatitur maksimalisht.”, theksoi ai.

Pas ndeshje me Burkina Fason, Kosova ballafaqohet me Zvicrën më 29 mars.

(18:51)

Ndeshjen e parë nën urdhrat e trajnerit të ri Alain Giresse Kosova do ta zhvillojë kundër Burkina Fasos në Prishtinë të enjten, sfidë kjo që ka karakter miqësor.

Në prag të këtij ballafaqimi, para mediave kanë folur trajneri Alain Giresse dhe kapiteni Amir Rrahmani.

Me këtë rast, qendërmbrojtësi i Napolit theksoi se kjo ndeshje do të jetë një test i mirë para ndeshjeve të qershorit në Ligën e Kombeve.

Rrahmani: Këto dy ndeshje na shërbejnë për përgatitje sa më të mira

"Kemi një ndeshje me Burkina Fason nesër dhe jemi duke u përgatitur për ta treguar atë që trajneri do dhe të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet e qershorit pasi që pas kësaj ndeshje kemi edhe ndeshjen me Zvicrën, kështu që këto dy ndeshje do të na ndihmojnë për përgatitjet në qershor", tha Rrahmani.

Ai tutje foli edhe për përshtypjet e para për trajnerin e ri francez në krye të kombëtare së Kosovës në futboll.

Rrahmani: Trajneri i ri ka sjellë pozitivitet në skuadër

"Besoj që më e rëndësishme që mund ta di është pas ndeshjes, sepse pas ndeshjes e shohim çfarë kemi bërë dhe mund ta bëjmë video analizën çfarë mund të bëjmë ndryshe dhe çfarë kërkon trajneri nga ato situata të lojës...Është një person shumë pozitiv dhe shpresoj të ketë kështu gjithmonë sepse na duhet një pozitivitet në ekip", tha Rrahmani.

Ndërkaq trajneri Giresse bëri të ditur se në këto seancat e para stërvitore është përqendruar te stërvitjet me dhe pa top, për të parë formën e lojtarëve.

Giresse: Puna me dhe pa top është ano që na duhet ta praktikojmë

"Mbetet punë padyshim për t’u bërë më rastet kur e kemi topin, kur e kemi posedimin mirëpo edhe puna pa top pa dyshim", tha Giresse.

Më pas ai foli edhe për formacionin për të cilin deklaroi se nuk e ka vendosur ende.

Giresse: Sot do të dimë më shumë rreth formacionit pas stërvitjes së fundit

"Atëherë siç e kemi thënë më herët, këto dy lojëra do të përfshihen të gjithë lojtarët që janë në ekip dhe padyshim që ditën e nesërme do të kemi një pamje se si do të duket formacioni për ndeshjen me Burkina Fason... Padyshim ky sesion i trajnimit që do ta kemi sot, i cili është i fundit para ndeshjes së nesërme do të na jep idetë e fundit se si do të shfaqemi para Burkina Fasos", tha Giresse.

Trajneri francez në fund shtoi se rivali i nesërm ka një stil të veçantë të lojës dhe se Kosova do të provojë që t’i kundërvihet me mënyrën e saj për t’i eliminuar të gjitha rreziqet që vijnë nga kundërshtari.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat