Thellohet skandali i Juventusit me falsifikimin e bilanceve financiare, një çështje që ka nisur që në muajin dhjetor të vitit të kaluar.
Klubi italian është në shënjestrën e policisë italiane e cila sot ka kryer kontrolle në studio të njohura ligjore në të gjithë vendin, duke kërkuar informacione për shkeljet e klubit bardhezi.
Juventusi akuzohet se ka kryer falsifikim të bilanceve të saj financiare duke fryrë shifrat nëpërmjet plusvalencave, transferimeve të lojtarëve mbi vlerën aktuale të merkatos.
Për të kërkuar dokumentacione në lidhje me këtë çështje, Guardia Di Finanza ka bërë kontrolle duke siguruar dokumentacione shkresore dhe kompjuterike në zyra të njohur ligjore të cilat kanë bashkëpunuar me bardhezinjtë për transferimet e tyre, në qytetet e Torinos, Romës e Milanos.
Po shqyrtohen materiale të periudhës së viteve 2019-2021, ku mendohet se Juventusi ka bërë ndryshime të mëdha në bilancet financiare për të mbuluar humbjet përtej normës të shkaktuara sidomos nga COVID-19. Kështu, sikur të mos mjaftonin problemet në fushën e lojës për bardhezinjtë, tani vjen edhe ky telash jashtë fushe, që bën më të komplikuar sezonin e torinezëve.