Kombëtarja e Kosovës sonte nga ora 18:00 zhvillon miqësoren ndaj Burkina Fasos.
Për ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” ka folur sulmuesi më i mirë i Kosovës, Vedat Muriqi.
Pavarësisht se është ndeshje miqësore, sulmuesi që angazhohet te skuadra e Mallorcas pret rezultat pozitiv.
“Jemi duke vazhduar punën tonë dhe do ta japim maksimumin si gjithmonë. Edhe pse nuk e njohim Burkina Fason, pak a shumë kemi filluar ta njohim dhe t’i shohim pikat e tyre të dobëta dhe me forcën tonë besoj se do të arrijmë rezultat pozitiv.
Shpresoj ta përdorim këtë periudhë të mirë. Kur kemi pasur serinë pozitive prej 13 ndeshjeve pa humbje kemi qenë sikur tash të gjithë në formë dhe shpresoj ta përdorim këtë moment të mirë dhe të arrijmë rezultate të mira.
Trajneri i ri? Ne jemi futbollistë profesionistë dhe duhet ta zbatojmë teknikën dhe taktikën e tij. I urojmë mirëseardhje atij dhe shpresojmë që të kemi rezultate të mira së bashku me të”, ka deklaruar Muriqi.