Portugalia do të zbresë mbrëmjen e sotme në stadiumin “Do Dragao” të Portos për të kërkuar finalen e “play off”-eve, e cila garanton biletën për në Botërorin 2022.
Luzitanët do të udhëhiqen në fushë nga kapiteni Kristiano Ronaldo, i cili me 115 golat e tij me bluzën e kombëtares është rekordmeni i të gjitha kohërave, por e përditshmja portugeze “A Bola” ka nënvizuar dje se për sa i përket vitit 2022, pikërisht CR7 është futbollisti me rendimentin më të ulët në repartin sulmues që ka në dispozicion trajneri Fernando Santos.
Me vetëm 4 gola të shënuar dhe asnjë asist, Ronaldo është shumë mbrapa të tjerëve duke qenë se Zhota, Silva e Guedesh numërojnë nga 7 gola, por edhe Leao e Feliks janë në kuotën 6.
Për të mos folur edhe për asistet, që shkojnë nga 1 i Zhotës e Guedeshit; 3 të Silvës e Leaos e deri te 4 të Feliks.
Gjithsesi, edhe kur gjërat për të nuk shkojnë mirë në rang klubesh, Kristiano transformohet kur vesh bluzën e kombëtares, ndaj sot ndaj Turqisë është gati që t’i çojë te triumfi shokët, siç theksoi me një tjetër mesazh në “Instagram”, pas stërvitjes së djeshme.
MESAZHI I RONALDOS – “Nuk është një sekret për asnjë se përfaqësimi i vendit tim është gjithmonë një moment special për mua. Të ngremë sa më lart emrin e Portugalisë, t’u sjellim gëzim dhe krenari të gjithë portugezëve, të gjithë të rinjve që duan një ditë të jenë pjesë e kombëtares, pasi asgjë nuk është e pamundur. Prandaj, besoni te ne dhe kombëtarja jonë. Forca Portugali!”, postonte CR7.