Në Maracana, Brazili bën detyrën përballë Kilit, me brazilianët që triumfuan pastër 4-0.
Përfaqësuesja e Tite-s e kishte siguruar kualifikimin, por vendasit nuk toleruan asgjë ndaj një kundërshtari “të dëshpëruar” tani për sa i përket kualifikimit. Neymar hapi serinë e golave me një penallti të përkthye në gol në minutën e 44-të, ndërsa në minutën e parë shtesë Vinicius Jr. dyfishoi rezultatin.
Skuadra e Lasarte ishte e pafuqishme edhe në pjesën e dytë, pavarësisht emrave si Vidal, Medel apo Alexis Sanchez, kilianët u dorëzuan pa kushte.
Goli i tretë u shënua nga Coutinho, i cili realizoi nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa firma e fundit erdhi nga sulmuesi i Everton, Richarlison në minutën e 91-të.
Paraguai triumfoi 3-1 ndaj Ekuadorit, por një rezultat që nuk ndryshon asgjë në fatet e dyja skuadrave, me vendasit që prej javësh janë pa objektiva, ndërsa skuadra e Alfaro-s kishte siguruar biletën e kualifikimit. Morales zhbllokoi rezultatin pas 10-të minutash lojë për vendasit, ndërsa në minutën e 6 shtesë, Hincapie shënoi një autogol, duke çuar vendasit në dhomat e zhveshjes me avantazhin e dy golave. Në fraksionin e dytë, Almiron shënoi të tretin në të 54-ën, ndërsa golin e vetëm për Ekuadorin e shënoi Caicedo me penallti, 5 minuta nga fundi i kohës së rregullt.