Mesfushori i Italisë dhe Paris Sen Zhermenit, Marco Verratti zhvilloi një ndeshje mjaft solide në mesin e fushës, ku Italia e kontrolloi ndeshjen për një kohë të gjatë.
Mirëpo, rastet e humbura të sulmuesve dhe pakujdesia në mbrojtje i kushtoi shtrenjtë “Azurrëve”, të cilët u larguan me kokën ulur nga stadiumi i Palermos.
“Është e vështirë të kuptosh se çfarë ka ndodhur. Ishim superiorë, por duhej të shënonim sa më shpejt.
Është futboll, di të jetë brutalisht i padrejtë. Ky ishte një makth për të gjithë ne, ne kemi shumë lojtarë cilësorë në ekip që mund të luftojnë për titullin kampion bote, por ne nuk arritëm të kualifikoheshim në Kupën e Botës. Megjithatë, është futbolli, nëse nuk shënon gol nuk ke bërë asgjë.
Është e vërtetë, ne ishim të pafat, por ndonjëherë duhet ta meritoni lumturinë”, tha mes tjerash Verrati.