Alessandro Costacurta, ish-mbrojtës historik i Italisë, ka folur për humbjen e papritur të pësuar nga Axurrët kundër Maqedonisë së Veriut, e cila ka eliminuar kampionët e Europë në rrugën drejt Katar 2022.
“Jam shumë i zhgënjyer, jam dashuruar me këtë skuadër për lojën që bënte dhe që e ka bërë edhe sot. Loja e skuadrës duhet ta çojë individin të dalë para portës, ky ka qenë defekti. E përsëris, loja ka qenë shumë e mirë”, ka thënë Costacurta për Sky Sport.
Më pas, shpjegimi për fajet e kësaj Italie:
“Individualitetet na kanë fundosur: kur futesh në zonën e rreptësisë, kur gabon pasimin e fundit… Besoj se Mancini ka bërë një punë shumë të mirë, edhe kundër Maqedonisë”, ka shtuar ish-mbrojtësi.
“Më duket se skuadra ka patur lojën e treguar verën e kaluar. Berardi ka qenë më i miri nga të tre lojtarët që ishin përpara, por dy të tjerët kanë munguar, duke pasqyruar atë që është kampionati ynë. Mancini është më pak fajtori”.