Në intervistën e fundit nga grumbullimi me kombëtaren suedeze, Zlatan Ibrahimoviç është kthyer të flasë në lidhje me komentet e fundit për një tërheqje të tij nga futbolli në fund të sezonit, duke parë 40 vitet e tij. “Gjiganti” suedez ka folur në stilin e tij të zakonshëm duke treguar se në mendjen e tij ai mbetet ende më i miri. Dhe, pse jo, ky mund të duket një presion kundër Robert Levandovskit dhe Polonisë së tij, në pritje të finales për biletën në “Katar 2022”, më 29 mars.
“Nuk bëj programe, ajo që do të ndodhë duhet ende të shkruhet. Nuk dua të tërhiqem duke menduar që do të kisha pasur ende mundësi të luaja. Do të pendohesha! E vërteta është që do të luaj deri sa dikush të jetë më i mirë se unë… gjë që do të thotë se nuk shoh njeri më të aftë, ndaj do të luaj akoma”.
“Ibrakadabra” ka rrëfyer arsyen që vazhdon ende të luajë duke theksuar edhe një herë karakterin e fortë.
“Adrenalina që ndiej kur luaj, është ajo që më bën të vazhdoj. E di që një ditë nuk do ta kem më, por ky është një problem për të gjithë futbollistët sepse jemi të programuar vetëm për këtë dhe nuk mund të bëjmë tjetër. Kur bën këtë gjë për 20 vjet, në këmbim merr adrenalinë. Kur të mungon e gjithë kjo, duhet t’ia nisësh nga zeroja.
Çfarëdo të ndodhë unë, do të jem gjithmonë ky që jam, i pëlqej ose jo njerëzve. Luaj me shumë emocion për Milanin, pasi ky klub më ka falur shumë lumturi dhe rikthimi në Champions ka qenë fantastik. Sigurisht që edhe kombëtarja është një motivim, ndaj jam këtu”.
Në përfundim të intervistës Ibra ka ndarë një këshillë edhe për lojtarët e rinj: “Është e thjeshtë t’i thuash një fëmije të besojë në vetvete, por është e vështirë ta bësh. Duhet të qëndroni të rrethuar nga persona pozitivë, sepse ata negativët kurrë nuk do të duan që të keni sukses”.