Paulo Dybala rrezikon të kthehet në një telenovelë të gjatë ende pa filluar merkatoja.
Argjentinasi, që nuk ka gjetur akordin me Juven për të rinovuar kontratën që i skadon në qershor, është ende në kërkim të një skuadre tek e cila do të vazhdojë karrierën.
Interi është gjithmonë i pari në monitorimin e situatës, por gjërat nuk janë kaq të thjeshta për palët.
Faktori kohë po ndikon gjithmonë e më shumë negativisht në hapjen e tratativave, pasi zikaltrit duhen fillimisht të sistemojnë një nga sulmuesit e tyre e më pas të lëvizin.
Por “La Joya” nuk ka ndër mend të presë pafundësisht, për të mos rrezikuar në fund të sezonit të ngelet pa një skuadër, pavarësisht cilësive dhe asaj që ka treguar në fushë.
Paradoksi është që gjithmonë e më shumë skuadrat po e refuzojnë atë dhe pas Barcelonës edhe Sevija e ka mohuar interesimin për 28-vjeçarin.
Nga Spanja vetëm Atletiko e Madridit dhe Simeone e vlerësojnë Dibalën, që tani duket se shpresën e vetme e ka Interin.