Presidenti Refik Halili kërkon nga stafi që skuadra të përforcohet jo vetëm me sulmues, por edhe me lojtarë të tjerë.
Kështu, presidenti i Tiranës ka këshilluar drejtuesit e skuadrës që merren me merkaton të afrojnë një mesfushor që të dijë të marrë e të përdorë topin.
Lojtari do të ishte një përforcim i menjëhershëm për ekipin për lojën në Europë. Nga ana tjetër, Tirana kërkon të afrojë të paktën dy lojtarë në merkaton e verës.
Bëhet fjalë për sulmues, që bardheblutë kërkojnë t’i rekrutojnë mes legjionarëve apo atyre që kanë skuadrat e tjera në Superiore. Qëllimi i bardhebluve është afrimi i dy sulmuesve, shkruan Panorama Sport.
Kjo, sepse Seferi dhe lojtarë të tjerë si Xhixha apo Ngoja mund të largohen për në skuadra të tjera. Në këto kushte, Tirana po kërkon lojtarë të zëvendësojë të larguarit.
Një mundësi ku mund të përqendrohet është ajo e Kristal Abazajt. Ky i fundit vazhdon të jetë një dëshirë e Tiranës, ndërsa tani bardheblutë duan të afrojnë lojtarë me peshë, siç bënë me Taulant Seferin në 2021-shin.
Në fakt, Abazaj është dëshirë e kahershme e Halilit që e kërkoi edhe në korrik 2021 ta afronte, por më pas lojtari u dëmtua dhe gjërat u ngrinë.
Tani që situata e dëmtimit është përmirësuar, Tirana del në skenë. Si presidenti dhe trajneri Shehi e duan lojtarin, që mes të tjerave është edhe tifoz i bardhebluve dhe disa herë është parë në stadium.