Italia do të shohë Kampionatin Botëror nga shtëpia, për të dytin edicion radhazi, pasi pësoi një tjetër zhgënjim në Play Off, duke u eliminuar nga Maqedonia e Veriut.
Megjithatë ndryshe nga edicioni i kaluar, këtë herë Botërori i Katarit do të zhvillohet në dimër dhe Seria A do të ndalet për një periudhë prej rreth 50 ditësh, ndaj në Itali po mendojnë për një zgjidhje.
Duke qenë se Botërori nuk do të ndiqet me shumë interes nga italianët, plani i Ligës është që të organizojë një “Serie A Cup”, pra një kompeticion me një fazë grupesh dhe më pas një fazë finale.
Synimi është që ky kompeticion të mbajë të angazhuara skuadrat e Serisë A dhe tifozët italianë, por në të njëjtën kohë, po studiohet mundësia e organizimit në SHBA ose Emiratet e Bashkuara Arabe, në mënyrë që të promovohet më shumë futbolli italian në këto vende.
Skuadrat e vogla e kanë mirëpritur këtë ide, ndërsa të mëdhatë janë skeptike, pasi do të kenë një pjesë të mirë të futbollistëve të angazhuar në Botërorin e Katarit. Gjithsesi për momentin bëhet fjalë vetëm për një ide, mbi të cilën drejtuesit italianë të futbollit po punojnë për ta konkretizuar sa më shpejt.