Masimiliano Irrati do të jetë ai që do të vendosë drejtësi në derbin e Italisë. 13 precedentët bardhezinj me të, me 9 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje, kurse zikaltrit numërojnë 16 të tillë me 9 fitore, 1 barazim dhe 5 humbje.
Arbitri do të shoqërohet në vendimet e tij nga dyshja e asistentëve Rageti dhe Vivenci, kurse në VAR do të jetë Paolo Maxoleni. Duke u kthyer tek Irrati, arbitri ka qenë vendimtar edhe në një tjetër ndeshje mes skuadrave, atë të sezonit të shkuar që ka përfunduar 3-2 në favor të bardhezinjve mes polemikave të shumta.
42-vjeçari ndodhej atëherë në VAR dhe në fushë kryesori ishte Kalvareze, por bashkëpunimi mes tyre i la të pakënaqura të dyja skuadrat që nuk i shmangën protestat. Në minutën e 22-të, Irrati sinjalizon një kontakt mes Darmianit e Kielinit që përfundon me akordimin e një penalltie në favor të Juventusit.
Vetëm 12 minuta më vonë e “lan borxhin” me zikaltrit duke akorduar një tjetër 11- metrësh, kësaj here për një prekje me dorë të De Ligtit. Në të dyja rastet loja u lejua të vazhdonte nga Kalvareze dhe vendimet erdhën më pas nga VAR-i, që u konsideruan lëvizje të sforcuara të Irratit. Por surprizat më të mëdha dyshja e arbitrave i kishte rezervuar për në fundin e ndeshjes.
Fillimisht në të 82’-ën anulohet goli i 2- 2 të zikaltërve për një faull të Lukakut ndaj Kielinit, por ndërhyrja e Irratit e konfirmon të rregullt. Vetëm 4 minuta më vonë një tjetër penallti akordohet në favor të Juves, pa u konsultuar me VAR-in, që vulos shifrat në 3-2 dhe në fund kompletohet me një karton të kuq për Brozoviçin.
Rezultati nuk kishte rëndësi për Interin që ishte shpallur kampion Italie, kurse trepikëshi ishte thelbësor për luftën e Juves për zonën Champions. Me rëndësi jetike për të dyja do të jetë rezultati i së dielës, ndaj Irrati vështirë se këtë herë shpëton aq lehtë në rast gabimesh.