Një çështje e vërtetë duket se është hapur në kombëtaren e Spanjës pas miqësoreve kundër Shqipërisë dhe Islandës. Trajneri Luis Enrique nuk e ka grumbulluar portierin De Gea për dy miqësoret duke shkaktuar një reagim të fortë nga vetë lojtari.
Nga sa ka shkruar AS, gjithçka ka ndodhur në telefon kur trajneri ka informuar yllin e United se nuk do të grumbullohej. Mes të dyve duket se ka patur një shkëmbim opinionesh që ka zemëruar De Gea-n, i cili duket se nuk i ka kuptuar arsyet e vendimit të teknikut.
E përditshmja spanjolle ka shpjeguar me detaje qëndrimin e palëve, por ka theksuar se ka versione të ndryshme. Sipas personave afër portierit, De Gea duket se nuk e ka marrë mirë vendimin e Luis Enrique, por vazhdon të jetë në dispozicion të Spanjës.
Nga ana e trajnerit ka ardhur një shpjegim akoma më i fortë me portierin që duket se ka kërkuar të mos grumbullohet më me kombëtaren.
Për të mësuar të vërtetën do të duhet të priten ndeshjet e ardhshme të Spanjës në Nations League këtë verë.