Ronaldinho ka thënë mendimin e tij për tifozët e Paris Saint-Germain, për sharjet e tyre ndaj Lionel Messit: “Nëse ju fishkëlleni më të mirin në botë, kë do të duartrokasni?”
Messi ka shënuar vetëm shtatë gola për PSG-në dhe nuk ishte në gjendje t’i ndihmonte parizienët t’i jepnin fund një pritjeje të gjatë për lavdinë e Ligës së Kampionëve në vitin 2022, pasi pësoi disfatë në 16-she, kundër Real Madridit.
Ronaldinho, i cili kaloi dy vite në “Parc des Princes” përpara se të transferohej në Spanjë te Barcelona më 2003, ka thënë për “AS”: “Është e vështirë për Messin, sepse ai mbërriti në Paris pas shumë vitesh duke luajtur një lloj futbolli krejtësisht të ndryshëm, në një klub që ka luajtur gjithmonë në të njëjtën mënyrë.
Atij thjesht i mungon përshtatja, por pjesa tjetër do të vijë natyrshëm. Kjo është normale. Ai ka nevojë vetëm për kohë. Nuk i kuptoj ofendimet për të. Nëse ju fishkëlleni Messin, nuk ka më asgjë! Nëse fishkëlleni më të mirin në botë, kë do të duartrokisni? Nuk e kuptoj”.
Ndërsa Messi ende nuk e ka fituar admirimin e tifozëve në kryeqytetin francez, e njëjta gjë mund të thuhet për homologun e tij amerikano-jugor, Neymar.
Ky i fundit nënshkroi një kontratë të re afatgjatë me PSG-në, por nuk ka bindur. Ronaldinho shtoi për bashkëkombasin e tij: “Unë mendoj se nuk është problemi i Messit apo i Neymarit. Tifozët nuk ishin të lumtur që nuk mundën ta fitonin Ligën e Kampionëve.
Dy emrat më të mëdhenj të PSG janë Neymar dhe Messi, kështu që është normale që tifozët të ishin pak më kritikë ndaj tyre. Unë mendoj se tifozët janë të pakënaqur me të gjithë lojtarët, jo vetëm me ata dy. Është futboll dhe pas pak do të kthehet normaliteti”.