Milan dhe Inter po garojnë për fitimin e titullit kampion, por ka derbi edhe në merkato mes tyre. Një sulmues është objektivi i përbashkët i dy klubeve milaneze për sezonin e ardhshëm.
Mediet italiane raportojnë se kuqezinjtë dhe zikaltrit synojnë Darwin Nunez, sulmuesi uruguaian të Benfikës. 22-vjeçari është një garanci golash dhe këtë sezon numëron 26 realizime në 30 ndeshje.
Goli i tij eliminoi Ajaksin nga Champions League, kompeticion ku “Shqiponjat e Lisbonës” do të sfidojnë Liverpoolin në çerekfinale. Gjithsesi, kërkesat e klubit portugez janë të larta.
Drejtuesit e Benfikës kërkojnë minimalisht 60 milionë euro për të lënë të lirë sulmuesin latin (8 ndeshje dhe 2 gola me kombëtaren e Uruguait). Për Nunez ka interesim të madh edhe nga Anglia.
Emri i tij është lidhur me një kalim te Manchester City në të kaluarën, ndërsa ka interesim konkret edhe nga Arsenal, West Ham dhe Tottenham.