Botërori i Katarit do të jetë një spektakël, të paktën siç nënvizoi presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, por ndërkohë kanë nisur menjëherë pakënaqësitë e para.
Kjo lidhet me biletat të cilat do të kenë një fashë të ndryshme çmimesh.
FIFA dhe qeveria e Katarit kanë gjetur një akord mes tyre, sipas të cilit tifozët e shtëpisë do të mund të blejnë bileta, të paktën për të gjithë fazën e grupeve, me çmime prej 10 ose 11 eurosh maksimumi, por diçka e tillë nuk vlen për pjesën tjetër të sportdashësve.
Për fazën e grupeve, për europianët, amerikanët, aziatikët etj, shifra minimale për një biletë do të jetë 61 euro, por mund të shkojnë deri në 190 euro.
Për sa u përket 1/8-ave të finaleve, bileta do të kenë një çmim nga 100 deri në 235 euro; për çerekfinalet 155 deri në 365 euro; për gjysmëfinalet 250 deri në 815 euro, ndërsa për finalen më e lira do të jetë 400 dhe më e larta 1400 euro.
Gjithsesi, këto çmime pa dyshim që do të mund të fryhen shumë herë më shumë, duke qenë se banorët e Katarit do të kenë lehtësira dhe tarifa shumë herë më të ulëta për të marrë pjesë në këto përballje emocionuese, por ndoshta shumë prej tyre mund të përfitojnë nga fakti dhe të blejnë një numër të konsiderueshëm biletash dhe t’i shesin ato në treg të zi me çmime që pritet të shkojnë dy-tri herë më shumë edhe sesa çmimi më i lartë i biletave të finales.