Në dy ndeshjet e fundit ndaj Partizanit dhe Vllaznisë, sulmuesi i Egnatias, Ilirid Ademi, mungoi për shkak dëmtimi, por ndërprerja e kampionatit i ka ardhur si me porosi 27- vjeçarit.
Ademi është riaftësuar plotësisht dhe sot pritet të jetë titullar ndaj Dinamos. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi i krahut të djathtë foli me optimizëm për përballjen me blutë.
“Më erdhi keq që nuk munda ta ndihmoja ekipin në dy ndeshjet e fundit, por ndihem po aq mirë që ndaj skuadrave të forta si Partizani dhe Vllaznia, morëm 4 pikë. Ndërprerja e kampionatit erdhi në momentin e duhur, për fatin tim, dhe tashmë dëmtimi ka kaluar plotësisht. Luajmë ndaj Dinamos, që ka në përbërjen e saj lojtarë me eksperiencë, ashtu si edhe ne. Do të jetë një ndeshje e vështirë, si për ata dhe si për ne.
Në momentin që ka ardhur kampionati dhe vetë pozitat në klasifikim, ndikim vendimtar do të ketë përvoja dhe psikologjia e ekipeve. Janë sfida ku çdo gabim të kushton shtrenjtë dhe duhet përqendrim përtej minutës së 90-të, derisa gjyqtari ta mbyllë ndeshjen”, ka thënë fillimisht Ademi.
Pedro Augusto, Ilirid Ademi dhe Artur Magani janë golashënuesit kryesorë të Egnatias. Për Ademin, ekipi i ka të gjitha mundësitë që të vazhdojë me fitore.
“Do të jetë sfidë e vështirë, por unë dhe shokët e mi do të hyjmë në fushë me besim se mund t’ia dalim. Duhet të jemi të qetë gjatë gjithë lojës dhe të shfrytëzojmë në maksimum rastet që do krijojmë. Personalisht besoj se i kemi të gjitha kualitetet, dëshirën, si dhe momentin e lartë psikologjik për të synuar fitoren.
Përtej rezultatit të ndeshjes me Dinamon, mendoj se ka plot javë përpara, të cilat kanë po të njëjtën peshë dhe rëndësi për ne. Së pari, duhet të mos gabojmë në fushën tonë dhe ndaj rivalëve direktë në transferta të synojmë të mos mundemi.
Në çdo sfidë kërkohet sakrificë e madhe dhe e përsëris, psikologji të lartë dhe qetësi për të përballuar çdo situatë që mund të na krijohet në fushë ndaj kujtdo.
Fati ynë dhe i ekipeve të tjera besoj se duhet të vijë javët e fundit për të përcaktuar verdiktet.
Lufta do të jetë e fortë për çdo pikë, duke nisur nga sot me Dinamon. Ne besojmë e do të sakrifikojmë për të marrë maksimumin e mundshëm që sot ndaj bluve”, përfundoi titullari i rrogozhinasve.