Erik Ten Hag është kandidati kryesor për t’u ulur në vendin e Ralf Rangnick në fund të sezonit. Gjermani do të marrë rolin e këshilltarit në klub, ndërsa Manchester United pritet t’i besohet teknikut të Ajaksit.
“Në futboll nuk i dihet asnjëherë. United është një klub i madh me tifozë të shkëlqyer, por jam i fokusuar plotësisht tek Ajaksi”, deklaroi 52-vjeçari holandez, i cili preferohet për stilin e futbollit ofensiv dhe me qarkullim topi.
Rreth mundësisë së transferimit të 52-vjeçarit në Premier League ka folur edhe Pep Guardiola. Spanjolli i Cityt e njeh shumë mirë Ten Hag, pasi ky i fundit drejtonte ekipin e dytë të Bayernit kur Guardiola ishte trajner i rekordmenëve gjermanë.
“Ten Hag është një trajner shumë i mirë dhe një person i shkëlqyer. Shihni çfarë ka bërë me Ajaksin në vitet e fundit. A do të ishte trajneri i duhur për Manchester City? ‘Doni të më shkarkoni?’”, deklaroi spanjolli duke buzëqeshur.
Pas batutës sërish serioz: “Po, ai mund të jetë trajneri i duhur për këtë klub, padyshim që po, sidomos për qasjen e tij ndaj punës dhe mënyrës si shtyn ekipin në ndeshje.
A do arrijë të ketë sukses njësoj si në Holandë? Nëse do të isha i sigurt 100%, do të telefonoja ata të United dhe do u thosha: ‘Djema, duhet të merrni Ten Hag si trajner’. Por askush nuk e di një gjë të tillë.
Kur unë erdha këtu, nuk e dija se do të kisha sukses në Premier League. Gjithsesi e përsëris: Ten Hag është një trajner i mirë, kjo është e padiskutueshme”, përfundoi Pep Guardiola.