Liverpool po garon fort me Manchester City për titullin kampion. Ekipi i Pep Guardiolës kryeson Premier League me një pikë më shumë se “The Reds”, të cilët presin sot Watford në “Anfield”.
Ekipi i Jurgen Klopp synon fitoren për të marrë përkohësisht kryesimin dhe për t’i bërë presion kampionëve në fuqi. Trajneri gjerman vlerëson ekipin kundërshtar dhe ka një mesazh për tifozët e Liverpoolit.
“Në pjesën më të madhe të sezonit City ka luajtur përpara nesh, atyre nuk u interesonte se çfarë ndodhte më pas. Për këtë arsye, tani që do të luajmë ne përpara atyre na takon të zhvillojmë ndeshjen më të mirë të mundshme.
Watford e fitoi ndeshjen e fundit, e dimë që ata dëshirojnë të bëjnë mirë ndaj nesh. Ata kanë një trajner ekspert dhe janë një skuadër e organizuar. Kemi nevojë që tifozët të krijojnë atmosferën e duhur në stadium.
Kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve, kështu që u them mbështetësve tanë: ‘Mos u nervozoni dhe mos u stresoni. Nëse nuk dini të këndoni dhe bërtisni, atëherë jepjani biletën tuaj tifozëve të tjerë”, deklaroi trajneri gjerman.