Egnatia ka mundur Dinamon në transfertë me rezultatin 0-2, në një takim që e dominoi thuajse të gjithin.
Rrogozhinasit arritën që të shënonin në minutën e 28’të me Pedro Auguston, por pas verifikimit në VAR ai gol u anulua, pasi lojtari i Egnatias kishte shkaktuar faull. Do të duhej minuta e 44-ët që Ilirid Ademi t’i dhuronte avantazhin Egnatias, me një super goditje.
Në fraksionin e dytë, Dinamo do të ishte më kërcënues, megjithatë pavarësisht rasteve nuk ia doli që të merrte barazimin.
Takimi vijoi me rezultatin 0-1 deri në minutën e 90’, kur Pedro Augusto do të detyronte Harizaj të dilte nga porta dhe më pas të realizonte,pavarësisht tentativave të Sidibes për ta ndalur.
Pas ndeshjes së raundit të 27-të Egnatia shkon në kuotën e 27 pikëve në vend të tetë, teksa Dinamo renditet në vend të nëntë me 23 pikë.