Shkëndija kundër Borecit

Futboll

Shkëndija kundër Borecit

Më: 3 prill 2022 Në ora: 11:33
Shkëndija kundër Borecit

Në takimin e xhiros së 25-të Shkëndija (sot, 15.00) do të presin në Stadiumin e Qytetit në Tetovë ekipin e Borecit nga Velesi.

Vjen kjo ndeshje pas dy fitoreve radhazi në kampionat, ndërsa kundër Borecit kuqezinjtë do të futen në lojë për të mbajtur ritmin dhe mentalitetin e fitoreve.

Të dyja skuadrat për herë të fundit u takuan në muajin shkurt të këtij viti në Veles, ndeshje të cilën e fitoi Shkëndija me rezultatin e thellë 3:0.

Ndërkaq gjatë historikut kuqezinjtë me Borecin janë përballur në gjithsej 10 ndeshje, prej të cilave Shkëndija ka 6 fitore, Boreci ka 3 fitore, ndërsa 1 ndeshje ka përfunduar me barazim.

Mihail Manevski, tha: “Në dy ndeshjet e fundit në ligë arritëm dy fitore radhazi, por me rëndësi është që në të dyja ndeshjet treguam lojë bindëse.

Pas kësaj pauze dy javore që e patëm, s’ka dyshim që do të shkojmë për fitoret e radhës. Kundër Borecit luajtëm gjatë muajit shkurt në fillim të sezonit pranveror dhe korrëm fitore 3:0. Në ndërkohë nuk duhet të harrojmë se jemi një skuadër e re me mjaft lojtarë të ri, jemi skuadër që ambientohemi dalëngadalë, e normalisht se për këtë nevojitet kohë. Por më e rëndësishme është që brenda në klub është atmosfera e mirë dhe besoj se do ta arrijmë nivelin që ne e dëshirojmë dhe që tifozët e presin nga ne”.

Arbitër kryesor i takimit do të jetë Dejan Mlladenovski, do t’i ndihmojnë Daniell Vasilevski dhe Branko Putilin, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Marjan Mlladenovski, që të gjithë nga Shkupi.

Për shkak të akumulimit të pesë kartonave të verdhë, sulmuesi Elezi dhe mesfushori Jessie Djou nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Akrapoviq. Në ndërkohë qendërmbrojtësi Bejtullai dhe anësori i majtë Merxhani janë rikuperuar nga dëmtimet fizike dhe duke filluar nga kjo ndeshje do të jenë të gatshëm për lojë.

Boreci

Pozita momentale: Boreci gjendet në vendin e parafundit në tabelë, me 13 pikë të tubuara.

Ecuria: Boreci në pesë xhirot e fundit në ligë ka pësuar pesë disfata radhazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat