Teuta mori një pikë pas barazimit 0-0 kundër Skënderbeut në “Niko Dovana”. Jaxzhi shënoi gol në minutat shtesë, por VAR-i e anuloi. Trajneri Renato Arapi foli pas barazimit në “Gol pas Goli” në Supersport, aty ku foli edhe rreth golit të mbrojtësit.
“Ishte një rezultat i drejtë, edhe pse nuk e kam parë akoma momentin e golit. Kur e sheh tani duket sikur është ‘off-side’, por me këto pamje që kemi nuk e shikojmë dot aq mirë, vija mund të vihet si të duhet.
Ishim përgatitur për të fituar, por ndikon edhe ana psikologjike dhe ndjenja e mosbesimit. Duhet të jemi më të shpejtë në veprimet sulmuese dhe në pasime, akoma nuk jemi përmirësuar siç duhet.
E dinim që do kishim përballë një ekip që nuk kishte çfarë të humbiste. Një nga pikat tona më të dobëta ka qenë pësimi i golave, por nuk ishim përgatitur për t’u ruajtur dhe për të qëndruar mbrapa”, deklaroi trajneri i skuadrës durrsake.