Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Armando Duka, ka marr pjesë në Kuvendin e Rregullt Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Në fjalën e tij, Duka tha se futbolli në Kosovë ka parë shumë zhvillime pozitive, ku sipas tij, pas pranimit në UEFA e FIFA, projektet kanë qenë të mëdha.
“Riorganizimi i FFK-së e cila sot padyshim është një organizatë që di të organizojë jo vetëm garat, por është edhe vizionare për futbollin në Kosovë”.
“Kemi parë zhvillime në infrastrukturë konkrete, nëpërmjet konkretit “Hat-trick”, ku FFK ka ditur që ta thith projektin e qendrës stërvitore në Hajvali, përmirësimin e disa fushave stërvitore për klube, përmirësimi i zyrave të FFK-së”, është shprehur Duka.
Kjo tregon se jemi në rrugën e mbarë dhe do të kemi suksese të mëtejshme.
Duka më tej tha se futbolli në Kosovë është në rrugë të mbarë, teksa shtoi se kjo shihet në organizimin e klubeve kosovare për një kohë të shkurtër, e ku edhe përmendi rezultatet e Kombëtares së Kosovës.
“Rezultatet e ekipit kombëtar, një ekip i cili në Nations League për pak na bëri pjesëmarrës në Kampionatin Evropian 2020, apo me rezultatet e fundit me një barazim në Zvicër që nuk është pak”.
“Vendimet e juaja tregojnë se kanë qenë të drejta dhe uroj që vendime të tilla të merren edhe në të ardhmen. Uroj që futbolli i Kosovës të shoh zhvillime akoma më të mëdha”, ka thënë Duka.
Kujtojmë se sot po mbahet Kuvendi i Rregullt Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës, ku në rend dite është zgjedhja e kryetarit të FFK-së, ku në garë i vetëm është Agim Ademi.