Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, nuk do të blihet përfundimisht nga ana e Mallorca-s, klub ku gjendet aktualisht i huazuar nga Lazio.
27-vjeçari pati një start shumë të mirë me Mallorca, duke shënuar 2 gola në 3 ndeshjet e para, por forma në rënie e sulmuesit ka çuar drejtuesit e klubit spanjoll drejt vendimit për të mos e blerë kartonin e tij nga Lacio.
Lajmi është bërë i ditur nga portal turk, “Milliyet”, i cili ngre dhe një hipotezë në lidhje me rikthimin e sulmuesit përsëri në Turqi.
Muriqi, i cili u ble nga Lazio pas paraqitjeve fantastike në kampionatin turk me skuadrën e Fenerbaçes, do ta mirëpriste një rikthim të tijin në Turqi.
Mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare së bashku me sulmuesin, në lidhje me klubin në të cilin Muriqi do të vazhdojë karrierën e tij.