Pas fitores 3-1 ndaj Benficas, Liverpool është afër kualifikimit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, gjë që do t’i sillte një hap më afër katër trofeve brenda vitit.
Liverpool e ka fituar tashmë Kupën Carabao këtë sezon dhe skuadra e Jurgen Klopp është vetëm 14 ndeshje larg fitimit të Premier League, Champions League dhe FA Cup – një objektiv që duket i vështirë për t’u arritur, por edhe i realizueshëm.
Skuadra e Premier Ligës që iu afrua më shumë për të siguruar katërfishin ishte Manchester United, i cili fitoi trefishin pasi siguroi Premier League, FA Cup dhe Champions League në sezonin 1998/99.
Manchester City i Pep Guardiolës fitoi ligën, FA Cup, Carabao Cup dhe Community Shield në sezonin 2018/19, por ata nuk arritën të fitonin trofeun e Champions League.
“Jo, nuk është [një objektiv realist] dhe nuk ka qenë kurrë”, tha Klopp për BT Sport kur u pyet për mundësinë e fitimit të katërfishit. “Nuk mund ta planifikosh dhe orari e bën vërtet të vështirë.
“Ne fituam kompeticionin e parë, prandaj jemi të vetmit që mund të fitojmë katërfishin. Por Man City është ndoshta favorit për trefishin, kështu është”, tha ai.
Manchester City dhe Liverpool mund të përballen me njëri-tjetrin deri në tre herë në pjesën e mbetur të sezonit në rast se të dy arrijnë në finalen e Ligës së Kampionëve.