Pas ndeshjes me Izraelin U-19 ditën e djeshme, Shqipëria U-19 është rikthyer menjëherë në fushë ku ka vijuar përgatitjet për ndeshjen e dytë kualifikuese ndaj Qipros.
Vajzat kuqezi kanë zhvilluar një seancë të plotë stërvitore që ka zgjatur përreth 2 orë këtë të mërkurë në Antalia të Turqisë, ku tekniku Kreshnik Krepi ka punuar më shumë në vendosjen tekniko-taktike.
Përveç Denada Avullija dhe Mery Kalaja, të cilat kanë një dëmtim në kavilje dhe janë stërvitur veçmas dhe Aglia Iliadhit, e cila është në proces rikuperimi, e gjithë pjesa tjetër e grupit është në formë të mirë fizike dhe është përgjigjur mirë në stërvitje.
Ndërkaq, ekipi do të zhvillojë ditën e nesërme seancën zyrtare stërvitore në prag të ndeshjes ndaj Qipros, që do të jetë ndeshja e dytë për skuadrën kuqezi ndërsa sfida e tretë dhe e fundit do të jetë ajo ndaj Turqisë më 11 prill. Shqipëria aktualisht është në kuotën e 0 pikëve, aq sa Qipro, ndërsa Turqia e Izraeli janë në kuotën e 3 pikëve pas ndeshjeve të para.