Nagelsman pranon paraqitjen zhgënjyese të Bayernit

Futboll

Nagelsman pranon paraqitjen zhgënjyese të Bayernit

Më: 7 prill 2022 Në ora: 14:07
Nagelsman pranon paraqitjen zhgënjyese të Bayernit

Nagelsman pranon paraqitjen zhgënjyese të Bayernit: Mund të kishte shkuar edhe më keq, në Mynih do të jetë një finale!

Julian Nagelsman e kishte menduar ndryshe ndeshjen e mbrëmshme në Spanjë, edhe pse trajneri i Bajernit e kishte paralajmëruar më parë që sfida me Vijarealin do të ishte e vështirë.

“E dinim që nuk do të ishte e lehtë pasi ata luanin përballë publikut të tyre që ishte një faktor i rëndësishëm. Kështu do të jetë edhe për ne në ndeshjen e kthimit pas një jave”, tha 34-vjeçari pas ndeshjes.

Nagelsman dhe skuadra e tij bënë praktikisht gjithçka për ta humbur këtë ndeshje duke mos marrë në asnjë moment lojën nën kontroll dhe kjo për meritë të kundërshtarit.

“Merituam të humbisnim. Nuk ishim mirë, nuk bëmë asgjë për ta fituar ndeshjen. Në pjesën e parë gabuam shumë në mbrojte dhe mund të kishim pësuar më shumë gola.

Pjesa e dytë ishte më e mirë dhe mendoj që loja u bë më e hapur. Shpeshherë humbisnim topin pasi ishim shumë të nxituar në veprimet tona, kjo pasi rezultati nuk ishte në favorin tonë. Por ashtu si shkoi ndeshja, mund të them që ishim me fat që nuk pësuam më shumë gola”.

Gjithsesi, në fund, trajneri gjerman premton se ndeshja e kthimit do të jetë ndryshe.

“Tani sfida në Mynih do të jetë një finale. Nuk mund të bëjmë të njëjtën paraqitje dy herë dhe djemtë e dinë këtë gjë. Nëse duam të shkojmë në fazën tjetër, duhet të shënojmë më shumë se një gol.

Do të jetë e vështirë dhe në Gjermani, pasi spanjollët janë një skuadër kompakte dhe e rrezikshme në kundërsulme falë trajnerit të tyre që di të lexojë shumë mirë lojën.

Por ne jemi Bajerni dhe do të japim gjithçka para tifozëve tanë të cilët do të jenë një shtysë më shumë për ne në fushë”, përfundoi trajneri bavarez.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat