E ardhmja e Darwin Nunez është e gjitha për t’u shkruar. Ylli i Benfica-s është një nga sulmuesit më të kërkuar në Eruopë, pavarësisht një vlerësimi prej 60 milionë eurosh.
Lojtari i datëlindjes 1999 ka vendosur në javët e fundit që të ndërrojë menaxher, duke u bërë pjesë e skuderisë të super menaxherit Jorge Mendes.
Një zgjedhje kjo që nuk është pritur aspak mirë nga ish-menaxheri i tij, Edgardo Lasalvia, i cili nuk ka ndërmend të bëjë asnjë hap mbrapa.
Në momentin e transferimit të sulmuesit nga Almeria te Benfica, Lasalvia ka rënë dakord me klubin luzitan për një komision 20% për në rastin e një transferimi dhe tani është gati për një betejë të gjatë ligjore.
Një situatë e komplikuar që, sipas së përditshmes portugeze Record, po e shqetëson shumë Nunez, i cili po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm me Benfica-n.
22-vjeçari, në fakt, ka shënuar 28 gola dhe ka dhënë 3 asiste në 35 ndeshjet e luajtura në të gjitha kompeticionet në këtë sezon me klubin portugez.