Carlos Tevez ishte mysafiri special i Juventusit, në sfidën ndaj Interit, me argjentinasin që u rikthye në Torino për t’u përshëndetur me drejtuesit e bardhezinjve dhe për të shijuar nga tribuna emocionet e derbit të Italisë.
Megjithatë “Apashi” nuk e ka përfunduar vizitën e tij në Itali, sepse pasditen e sotme përfundoi në Milano, në qendrën stërvitore të Interit, ku kaloi disa minuta të këndshme nën shoqërinë e drejtuesve dhe futbollistëve zikaltër.
I shoqëruar nga zv. Presidenti i Interit, Javier Zanetti, Tevez u pa të bisedonte miqësisht me argjentinasit e zikaltërve, por edhe amerikano-latinët si Sanchez, Vidal e Vecino, ndërsa plani i radhës i “apashit” është Anglia.
Pas karrierës së lavdishme si futbollist, plani i Tevez është që të bëhet po kaq i suksesshëm edhe si trajner, ndaj e ka nisur me një tur, duke studiuar disa nga trajnerët më të mirë, falë edhe marrëdhënieve mjaft të mira që ka me shumë klube të mëdha europiane.